Kultura nuk izolon

albanese / la cultura non isola

 

Ishulli është një pjesë toke që shpërfaqet nga deti; prej detit mbrohet, e rrethohet, veçohet prej kontinenteve, terreni i të cilave duket i palëvizshëm, i hapur, i përshkuar nga një mijë ngjarje dhe shpërngulje të zhvendosura aty, duke vepruar mbi të, duke e zhbërë dhe vjetruar.

Toka ishullore është e lëvizshme, e qarkuar. Mund të banohet sërish dhe të përtërihet. Mund të jetë një botë brenda botës, me rregullat e saj. Të sjellim ndërmend Atlantidën, Utopinë, ishullin e Robinson Crusoe.

Sa ishuj dhe sa utopi pluskojnë dhe sa prej tyre zhyten në kohëra? Filozofi Jacques Derrida shkruan: «Çfarë është një ishull? Nuk ka botë, ka vetëm ishuj». Ideja e ishullit na bën, pra, të modifikojmë botën me të cilën na lidh përvoja, ishulli bëhet shfaqje dhe metaforë e saj, projekt dhe revoltë.

Ishulli, si rrjedhim, është hapësirë dhe model. Tiparet e tij fizike nuk janë vetëm gjeografike apo natyrore, janë edhe gjurmë të krijimit artistik si dhe të kulturës së njeriut. Për këtë arsye, ishulli është hapësirë eksplorimi, eksperimentimi dhe njohjeje, është model i kulturave bashkëkohore. Ruan domethëniet e të qenit në botë por përfshihet edhe në proceset e strukturimit/destrukturimit identitar, të braktisjes/largësisë, nga humbja dhe nga krijimi i lidhjeve: ishulli është rreziku i ndarjes dhe i kufirit; ishulli është mundësi për rifillim dhe krijim nga e para, rizbulim dhe rigjenerim, i vjetër dhe i ri; ishulli është tjetërkundi i i përkryer, fsheh thesare apo është pikëmbërritje e ikjes, prag i kërkimit të lumturisë.

 Sapo shquhet në horizont, ishulli është pasqyrë e asaj që ne jemi, është forma parake që na trand e na shkund. Michel Tournier e krahason ishullin me diastolën dhe sistolën e zemrës njerëzore, me bymimin dhe tkurrjen. Është qarku magjik që rrethon dhe mbron. Një vend i sigurt, i kryer në vetvete, veza kozmike apo edhe kopshti i Edenit. Ishulli, bërthamë e mbështjellë prej detit amniotik, është simbol i amësisë, i “strukjes në një prehër”: kultura e femërores/ amësisë, e ri-interpretuar në rrafsh të prodhimtarisë kulturore, është bartëse e një qëndrimi të veçantë ndaj njerëzores.

Mikpritje, dhembshuri, mbrojtje, kujdes, dhuratë, lidhje me jetën janë vlerat e patjetërsueshme të kulturës të së ndryshmes që kemi ndërmend të përhapim me programin tonë kulturor.

Por ishulli është edhe një hapësirë mendore. Është mendimi që merr formë dhe del në sipërfaqe nga një thellësi e padepërtueshme, e errët, e mbushur me jetë: «Ishujt janë si idetë. Shkretëtira, joshëse. Veprojnë si rezerva, kapin ndodhira dhe i japin strehë njerëzve qysh nga krijimi i poemës së parë» (Maylis de Kerangal)

 Ishulli është imazh, simbol, ide. Gjithsesi është një hapësirë konkrete dhe trupore, që zotërohet prej rrjedhave të raporteve të saj, prej udhëkryqit të mbërritjeve dhe nisjeve: «Prej aty nisesh, aty mbërrin. Ai e fton veten e tij të përshkojë detin që e rrethon, të prekë brigje të tjera» (Jean-Luc Nancy). Ishulli, në fakt, është i depërtueshëm, i hapur.

Të studiosh natyrën e ndërlikuar të imagjinarit të ishullit do të thotë të zbulosh rrënjët mitike dhe arkaike të çdo strukture racionale; do të thotë, gjithashtu, të projektosh mbi një imazh-hapësirë gjithçka që na duhet për t’u përpunuar dhe për t’u refuzuar: burgosja, kurthi, misteri i ankthshëm.

Ishulli është mbretëri e së dyanshmes: hapje/mbyllje; mikpritje/dëbim; liri/ burgosje, lidhje/largësi. Natyra e dyfishtë identitare që do të zhvillojmë në parimet dhe në programin kulturor të Procida Capitale Italiana della Cultura (Proçida, kryeqyteti italian i kulturës) për vitin 2021, duke përfituar nga mundësia që jep ishulli si një perspektivë e privilegjuar për të eksperimentuar kundërshtitë e vazhdueshme, betejën e përjetshme mes ndjenjës së përkatësisë dhe nevojës për të deklaruar diferencën vetjake.

Përvojat që dalin në pah nga brendësia e ishullit, të cilat shoqërojnë dhe drejtojnë rrugëtimin e kandidaturës, zhvillojnë një hartografi të fakteve dhe ngjarjeve: pikë mbas pike, asnjë vend i imagjinarit dhe i trillimit nuk merr vërtetësi reale, nuk i dorëzohet gjetjes dhe zbulesës. Në mjedisin dhe në “hapësirat” ishullore çelin laboratorë ku jeta e përditshme, elementet e natyrës dhe shprehësia kulturore janë mjetet e një projekti të njerëzor që të rrëmben.

Projektet kanë një rrafsh të dyfishtë eksplorimi. Rrafshi i parë, ai horizontal, përshkruan sipërfaqen krijuese të ishullit ashtu siç duket, me ciklin e shfaqjeve të saj jetësore dhe kulturore.

Por, ky itinerar, ka një thellësi vertikale që përvijon një udhëtim origjinal, një miniaturë të potencialit të bashkëkohores ku  idetë e progresit, të shkencës dhe të teknologjisë e vendosin njeriun në qendër të vetë kujtesës, si edhe të vetë aftësisë për ta rrokur të ardhmen, duke zhvilluar vetëdijen e të qenit banorë dhe jo thjesht kalimtarë.

 

Përktheu / Blerina Suta

paolo altieri AA
visual & communication designer
http://www.altieriassociati.com
Indietro
Indietro

Културата не е остров

Avanti
Avanti

Dhaqanku ma go’doomo